Rama mbledh socialistët në Vlorë – Përkujtohet 35-vjetori i PS-së në Sheshin e Flamurit

Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partia Socialiste e Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë këtë të premte në Vlorë, ku do të marrë pjesë në aktivitetin përkujtimor me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.

Takimi do të zhvillohet në Sheshin e Flamurit, duke mbledhur drejtues, anëtarë dhe mbështetës të forcës më të madhe qeverisëse në vend.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesi politik i socialistëve për qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, i cili ka shpërndarë ftesën për aktivitetin.

“35 vjet Partia Socialiste e Shqipërisë. Shihemi në Vlorë në Sheshin e Flamurit, të premten ora 18:30”, shkruan Çuçi në mesazhin e publikuar.

Aktiviteti pritet të shërbejë jo vetëm si një festë për përvjetorin e partisë, por edhe si një moment reflektimi mbi rrugëtimin 35-vjeçar të socialistëve në politikën shqiptare.

Vizita e Ramës në Vlorë vjen vetëm një ditë pasi ai ndodhej në Malin e Zi, ku pa nga afër një projekt zhvillimor që, sipas tij, nuk u pranua të realizohej në Shqipëri. Ndalesa në qytetin bregdetar pritet të jetë një nga aktivitetet më të rëndësishme politike të socialistëve në kuadër të kremtimit të 35-vjetorit të forcës së tyre politike.