Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë hapur në mbështetje të projekteve të investimeve në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, duke i cilësuar si të pabazuara kundërshtimet dhe protestat e ngritura ndaj tyre.
Në një deklaratë të fortë publike, Berisha sulmoi kritikët e këtyre projekteve, duke i quajtur “hipokritë” dhe duke theksuar se investimet e huaja janë jetike për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ata që qajnë elegjinë e Sazanit janë një grup hipokritësh. Le të derdhin lot sa të duan”, deklaroi ai, duke kujtuar se edhe më herët, gjatë kohës kur drejtonte qeverinë, së bashku me ish-kryeministrin Fatos Nano, kanë promovuar ishullin e Sazanit si destinacion për investitorët strategjikë ndërkombëtarë.
Berisha sqaroi se projekti nuk përbën rrezik për pasuritë natyrore të ishullit, duke nënvizuar se vlera më e madhe e Sazanit lidhet me ekosistemin dhe bimësinë e tij unike, të cilat, sipas tij, do të mbrohen.
Duke folur për Zvërnecin, lideri demokrat bëri dallim nga statusi i Sazanit, duke theksuar se toka në këtë zonë është pronë private dhe se banorët kanë jetuar aty prej brezash. Sipas tij, kjo e bën të ligjshëm zhvillimin e projekteve investuese, për sa kohë respektohen të drejtat e pronarëve dhe legjislacioni në fuqi.
Në përfundim, Berisha ritheksoi se Partia Demokratike mbështet investimet e huaja si motor zhvillimi për ekonominë shqiptare, duke shtuar se çdo projekt duhet të ecë paralelisht me mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e standardeve ekologjike.









