Boom biznesesh në Shqipëri/ Mbi 250 mijë ndërmarrje aktive – Turizmi dhe bujqësia udhëheqin rritjen

Ekonomia shqiptare ka shënuar një tjetër vit zgjerimi, me numrin e ndërmarrjeve aktive që ka arritur nivele rekord gjatë vitit 2025. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në vend operuan mbi 250 mijë biznese, duke regjistruar një rritje prej 5,1% krahasuar me vitin 2024.

Sipas raportit, ndikimin më të madh në këtë rritje e ka dhënë sektori i bujqësisë, veçanërisht përmes shtimit të fermerëve të regjistruar me NIPT. Kjo tendencë lidhet me kërkesën për formalizim, pasi regjistrimi është kusht për përfitimin nga skemat kombëtare të mbështetjes financiare në bujqësi.

Gjatë vitit 2025, numri i fermerëve të regjistruar arriti në 112.205, duke shënuar një rritje prej 6,1% në krahasim me një vit më parë.

Ndërkohë, dinamika pozitive është reflektuar edhe te bizneset e reja. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 18.297 ndërmarrje të reja, krahasuar me 15.970 të regjistruara në vitin 2024, çka dëshmon për një rritje të ndjeshme të aktivitetit sipërmarrës në vend.

Të dhënat tregojnë se sektori i shërbimeve vazhdon të dominojë ekonominë shqiptare. Aktivitetet që lidhen me tregtinë, transportin, magazinimin, akomodimin, shërbimin ushqimor, informacionin, komunikacionin dhe shërbimet e tjera përbëjnë rreth 86% të ndërmarrjeve aktive në vend. Turizmi mbetet një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të bizneseve të reja.

Raporti i INSTAT evidenton gjithashtu një rritje të lehtë të bizneseve të drejtuara nga gratë gjatë vitit 2025, duke reflektuar zgjerimin gradual të rolit të tyre në sipërmarrje.

Nga ana tjetër, ndërmarrjet e mëdha me 50 ose më shumë të punësuar përbëjnë vetëm 1,5% të totalit të bizneseve, por punësojnë afërsisht gjysmën e forcës së përgjithshme të punës. Ndërsa bizneset e vogla dhe të mesme vazhdojnë të mbeten shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, duke përfaqësuar mbi 90% të subjekteve aktive në vend.