Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mesditën e sotme, ku një bankë e nivelit të dytë në afërsi të stadiumit “Dinamo” në Tiranë është grabitur nën kërcënimin e armës.
Sipas raportimeve të gazetares Xhensila Kodra, një person i armatosur ka hyrë brenda ambienteve të bankës dhe ka arritur të marrë një shumë parash, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve.
Burime paraprake bëjnë me dije se autori ka vepruar me shpejtësi, duke shfrytëzuar momentin kur një qytetar po kryente një depozitim parash në sportelin e bankës. Dyshohet se pikërisht kjo shumë është bërë objekt i grabitjes.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht nuk ka informacione zyrtare për identifikimin apo arrestimin e tij. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet, ndërsa janë marrë në pyetje dëshmitarët dhe po analizohen kamerat e sigurisë.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit të armatosur.









