Zgjidhet projekti fitues për transformimin e Pallatit të Kongreseve – Juria shpall unanimisht studion prestigjioze zvicerane

Pas prezantimit të pesë projekteve finaliste gjatë ditës së sotme, juria ka shpallur fituesin e Konkursit Kombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, një prej objekteve më të rëndësishme publike dhe kulturore në vend.

Kryetarja e jurisë, Mari Randsborg, bëri të ditur se vendimi është marrë në mënyrë unanime, duke shpallur fitues projektin e studios së njohur arkitekturore Herzog & de Meuron, në bashkëpunim me Julian Beqiri, Marsela Demaj, Michel Desvigne, Gentian Shkurti, SUEB Industries, The Space Factory Ltd dhe KLAR sh.p.k.

Sipas jurisë, projektet e paraqitura ofruan vizione të ndryshme për të ardhmen e Pallatit të Kongreseve, por elementi i përbashkët ishte ruajtja e identitetit arkitektonik të godinës ekzistuese. Projekti fitues u vlerësua për mënyrën se si kombinon konservimin e karakterit historik të objektit me zgjerimin e kapaciteteve funksionale dhe modernizimin e hapësirave, duke i dhënë ndërtesës një rol më të gjerë kulturor dhe komercial.

Në vendin e dytë u rendit ekipi i udhëhequr nga MVRDV, në bashkëpunim me AEI Progetti, IRI sh.p.k., Jason Bruges Studio, Charcoalblue International, Arup Engineering dhe Bami Holding.

Ndërsa vendi i tretë iu dha ekipit të kryesuar nga Studio Gang, së bashku me Gener 2 sh.p.k., AD-STAR sh.p.k., Digi Print, Besart Papa dhe Rudina Papavasili.

Rikualifikimi i Pallatit të Kongreseve konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme urbane dhe kulturore në Tiranë, me synimin për ta shndërruar këtë objekt në një qendër moderne multifunksionale, duke ruajtur njëkohësisht vlerat e tij arkitekturore dhe historike.