“Nuk jemi PSG apo Arsenal!” – Maran ndez tifozët para debutimit: Shqipëria do të luajë me personalitet për fitore

Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dalë për herë të parë para mediave në prag të debutimit të tij në stolin kuqezi, duke folur për përgatitjet e skuadrës, sfidën ndaj Izraelit dhe filozofinë që synon të ndërtojë te Shqipëria.

Tekniku italian vlerësoi angazhimin dhe profesionalizmin e futbollistëve gjatë grumbullimit, duke theksuar se lojtarët kanë treguar gatishmëri maksimale pavarësisht lodhjes së akumuluar pas një sezoni të gjatë dhe intensiv me klubet e tyre.

“Kam parë një disponueshmëri të jashtëzakonshme nga të gjithë lojtarët. Nuk është aspak e lehtë të vish në Kombëtare pas një sezoni të lodhshëm, me shumë ngarkesë fizike dhe emocionale. Megjithatë, futbollistët kanë treguar profesionalizëm të lartë dhe dëshirë për të punuar. Kjo është një pikënisje shumë e rëndësishme për ne”, deklaroi Maran.

Trajneri kuqezi pranoi se koha në dispozicion për të transmetuar idetë e tij ka qenë e kufizuar, por shtoi se grupi ka reaguar pozitivisht dhe ka treguar motivim të madh për të përvetësuar konceptet e reja taktike.

Sipas tij, sfida ndaj Izraelit do të jetë një test i rëndësishëm për të kuptuar se sa mirë janë përthithur idetë e stafit teknik.

“Ka qenë e vështirë të përkthejmë në fushë gjithçka që kemi përgatitur në teori, pasi koha ka qenë e shkurtër. Megjithatë, më ka pëlqyer shumë dëshira dhe motivimi i lojtarëve. Tani duhet të shohim se si do të reflektohet kjo në ndeshje”, tha ai.

Maran paralajmëroi se Izraeli është një kundërshtar i vështirë, i cili të detyron të vraposh shumë pa top dhe të gabosh nëse nuk ruan përqendrimin.

“Është një skuadër që i vendos kundërshtarët në vështirësi dhe i detyron të luajnë keq. Duhet të jemi agresivë, të mos u lëmë hapësira dhe të luajmë me intensitet të lartë gjatë gjithë ndeshjes”, theksoi trajneri.

Duke folur për objektivat e tij, Maran u shpreh se synon të ndërtojë një Shqipëri me identitet të qartë, të bazuar te cilësitë e futbollistëve shqiptarë dhe jo në imitimin e skuadrave të tjera të mëdha evropiane.

“Sigurisht që ne nuk jemi Paris Sen-Zhermeni apo Arsenali. Ne jemi Shqipëria dhe duhet të krijojmë ADN-në tonë, të bazuar te karakteristikat e lojtarëve që kemi në dispozicion. Një trajner që mendon se idetë e tij janë të pandryshueshme nuk mund të evoluojë. Futbolli ndryshon vazhdimisht dhe ne duhet të përshtatemi”, deklaroi ai.

Tekniku italian nënvizoi se dëshiron një skuadër me mentalitet fitues, që të mos ketë frikë të marrë iniciativa në fushë dhe të kërkojë vazhdimisht fitoren.

“Më pëlqen të kem një ekip agresiv, që kërkon të mbajë topin dhe hyn në fushë për të fituar. Dua një Shqipëri me kurajë, personalitet dhe besim te vetja. Rezultati është i rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si luajmë. Nëse arrijmë të kombinojmë performancën me rezultatin, atëherë do të kemi zhvilluar një ndeshje perfekte”, u shpreh Maran.

Në përfundim, trajneri kuqezi bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit janë provuar disa variante taktike dhe ndryshime në lojë, duke shtuar se formacioni dhe qasja përfundimtare do të vendosen pas seancës së fundit stërvitore.

Debutimi i Rolando Maran në stolin e Kombëtares shqiptare pritet me interes të madh nga tifozët kuqezi, të cilët shpresojnë që tekniku italian të hapë një kapitull të ri suksesshëm për përfaqësuesen shqiptare.