Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbërritur në fshatin Çepan të Skraparit, ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit të babait të tij, Rexhep Meta, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Ai shoqërohej nga forca të shumta policore, në kuadër të masave të sigurisë të organizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Sipas burimeve zyrtare, kjo ishte hera e parë që Meta del nga qelia pas arrestimit të tij, për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit. Ceremonia mortore është planifikuar të zhvillohet në orën 12:00 në vendlindjen e familjes Meta.
Mesazhi i Ilir Metës për ndarjen nga jeta të babait:
Të dashur të afërm, miq dhe dashamirës, Me dhimbje të thellë po ndaj me ju lajmin e trishtë, për mua dhe gjithë familjen tonë, të ndarjes nga jeta të babait tonë të mrekullueshëm, Rexhep Meta. Në respekt edhe të amanetit të tij, ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet, më 2 qershor, në ora 12:00, në vendlindjen e tij në Çepan të Skraparit. Ndërkohë për të gjithë miqtë dhe dashamirësit, familja do të bëjë pritjet e ngushëllimeve në datën 3 qershor në Tiranë, vendin dhe orën e saktë, do t’ju a komunikojmë në vijim.









