E ardhmja e Serhou Guirassy te Borussia Dortmund mbetet e pasigurt. Pavarësisht statistikave mbresëlënëse, me 60 gola të shënuar në 90 ndeshje zyrtare gjatë dy sezoneve të fundit, drejtuesit e klubit gjerman po shqyrtojnë mundësinë e shitjes së sulmuesit në merkaton e verës.
Sipas raportimeve të fundit, interesimi për Guirassy nuk mungon dhe një klub ka bërë tashmë lëvizjet e para për të mësuar kushtet e transferimit. Një nga arsyet kryesore që ka shtyrë Dortmundin të konsiderojë largimin e tij lidhet me pagën e lartë të lojtarit.
Burimet bëjnë të ditur se agjentët e sulmuesit kanë marrë autorizimin nga klubi për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me skuadrat e interesuara, duke eksploruar mundësitë për një transferim të mundshëm.
Megjithatë, negociatat nuk pritet të jenë të thjeshta. Kontrata e Guirassyt përmban klauzola të veçanta që mund të ndikojnë në çmimin final të kartonit. Aktualisht, largimi i tij vlerësohet të jetë i mundur për rreth 40 milionë euro, edhe pse shuma mund të ndryshojë në varësi të klubit blerës dhe faktorëve të tjerë që lidhen me destinacionin e lojtarit.









