Përplasje në protestën e Zvërnecit – Policia procedon 17 persona

Policia e Vlorës ka reaguar pas protestës së zhvilluar në zonën e Portonovës, në Zvërnec, ku banorë dhe aktivistë kundërshtuan zbatimin e një projekti nga një kompani private. Sipas autoriteteve, gjatë tubimit janë shënuar incidente që kanë çuar në procedimin penal të 17 personave, mes tyre edhe dy punonjës të një kompanie private sigurie.

Në njoftimin zyrtar thuhet se, pas marrjes së informacionit për organizimin e protestës, policia kishte marrë masa për garantimin e rendit publik dhe mbrojtjen e pronës private në zonë. Megjithatë, situata u tensionua kur një grup protestuesish dyshohet se tentuan të prishnin rrethimin e kantierit të ndërtimit.

Sipas policisë, një prej protestuesve, shtetasi me inicialet E. S., ka hyrë me forcë në perimetrin e kantierit dhe më pas është shoqëruar nga punonjës të një shoqërie private sigurie në ambientet e rojeve. Gjatë këtij veprimi, ai ka pësuar dëmtime trupore.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të rendit, protestuesi është nxjerrë nga ambientet ku mbahej dhe më pas ka paraqitur kallëzim në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë ndaj dy punonjësve të sigurisë private.

Në vijim të hetimeve, policia ka proceduar penalisht dy rojet e sigurisë, shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprimet e kryera gjatë incidentit.

Njëkohësisht, janë proceduar penalisht edhe 15 pjesëmarrës në protestë, të cilët dyshohet se kanë ushtruar veprime të dhunshme dhe kanë tentuar të dëmtojnë rrethimin e kantierit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje debatet dhe kundërshtitë që shoqërojnë projektin në zonën e Zvërnecit, ndërsa hetimet për incidentet e regjistruara gjatë protestës vijojnë.