“Pse nuk e rrëzuam dronin rus?” – Gjenerali rumun zbardh detajet dramatike të incidentit që tronditi NATO-n

Autoritetet ushtarake të Rumanisë kanë dhënë shpjegime të detajuara lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur gjatë natës, kur një dron rus depërtoi në hapësirën ajrore rumune dhe u përplas mbi një pallat në qytetin Galati, duke shkaktuar panik dhe plagosjen e dy personave.

Gjenerali i Brigadës, George Maxim, deklaroi se ushtria rumune kishte identifikuar objektivin ajror, por nuk mundi ta neutralizonte në mënyrë të sigurt pa rrezikuar jetën e civilëve dhe dëmtime të mëdha në zonat e banuara.

Sipas tij, incidenti ndodhi gjatë një sulmi masiv të ndërmarrë nga Rusia kundër infrastrukturës portuale të Ukrainës në zonën e Danubit, ku u përdorën rreth 50 dronë sulmues.

Gjenerali bëri të ditur se droni u zbulua fillimisht në orën 01:46, rreth 19 kilometra në lindje të qytetit ukrainas Reni. Vetëm pak minuta më vonë, në orën 01:52, ai hyri në hapësirën ajrore rumune, ndërsa në orën 01:56 u zhduk nga radarët pasi kishte përshkuar rreth 10 kilometra mbi territorin e Rumanisë.

Sipas ushtrisë rumune, menjëherë pas identifikimit të kërcënimit u aktivizuan procedurat emergjente të NATO-s për mbrojtjen ajrore. Dy avionë luftarakë F-16 nga baza ajrore Fetesti, si dhe një helikopter ushtarak Puma IAR-330, u ngritën në fluturim për të monitoruar situatën dhe për të qenë gati për ndërhyrje.

Megjithatë, sipas gjeneralit Maxim, vendimi për të mos e goditur dronin u mor pas një analize të shpejtë operative, pasi objekti fluturonte në lartësi të ulët dhe mbi zona të banuara.

“Pilotët kishin autorizim për të goditur objektiva ajrore vetëm në kushte të sigurta për popullsinë. Në rastin e dronëve të vegjël, koha për identifikim, klasifikim dhe marrje vendimi është jashtëzakonisht e kufizuar”, deklaroi ai.

Ai shtoi se në momentin kritik ushtria nuk kishte informacion të konfirmuar nëse droni mbante eksploziv apo nëse bëhej fjalë për një dron diversioni, çka e bëri edhe më të vështirë marrjen e vendimit për ta rrëzuar.

“Çdo veprim duhej të merrte parasysh rrezikun për qytetarët. Pas analizës së të gjitha të dhënave operative, u arrit në përfundimin se nuk ekzistonte një mundësi reale për neutralizimin e sigurt të dronit”, theksoi gjenerali rumun.

Incidenti në Galati ka rritur ndjeshëm tensionet në kufirin lindor të NATO-s dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi rrezikun që paraqesin sulmet ruse pranë territorit të aleancës. Autoritetet rumune vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi origjinën, trajektoren dhe objektivin e dronit që shkaktoi incidentin.