Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka reaguar për herë të parë pas incidentit të rëndë të regjistruar në Romania, ku një dron rus u përplas mbi një pallat në qytetin e Galatit.
Në deklaratën e tij, Medvedev paralajmëroi se episode të tilla do të vazhdojnë dhe u bëri thirrje vendeve evropiane të “përgatiten”, duke e cilësuar situatën si luftë të hapur mes Rusisë dhe Perëndimit.
“Shtetet evropiane janë pjesëmarrëse të drejtpërdrejta në luftën me Rusinë dhe askush nuk e kundërshton këtë… Prandaj le të përgatiten: kjo gjë do të vazhdojë të ndodhë. Është luftë!”, deklaroi ai.
Medvedev shtoi gjithashtu se qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian nuk do të mund të “flenë të qetë”, sidomos në shtetet ku ndodhen fabrika dronësh që, sipas tij, furnizojnë Ukrainën.
Reagimi vjen pasi gjatë natës mes 28 dhe 29 majit, një dron rus hyri në hapësirën ajrore rumune dhe u përplas në çatinë e një pallati 10-katësh në Galati, duke shkaktuar zjarr dhe plagosjen e lehtë të dy personave.
Ministria e Jashtme e Rumanisë e dënoi incidentin si një “përshkallëzim të rëndë dhe të papërgjegjshëm”, ndërsa tensionet mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s vijojnë të rriten pas sulmeve të fundit pranë kufijve të aleancës.









