“NATO do të mbrojë çdo centimetër!” – Rutte reagon ashpër pas dronit rus që goditi Rumaninë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka reaguar me tone të forta pas incidentit të rëndë në Rumani, ku një dron rus u përplas mbi një pallat në qytetin Galati gjatë një sulmi masiv rus ndaj Ukrainës.

Në një reagim publik në rrjetin social “X”, Rutte e cilësoi sjelljen e Rusisë si të papërgjegjshme dhe paralajmëroi se aleanca ushtarake është plotësisht e gatshme të mbrojë territorin e çdo vendi anëtar.

“Sjellja e papërgjegjshme e Rusisë përbën rrezik për të gjithë ne. Mbrëmë pamë edhe një herë se pasojat e luftës së tyre të paligjshme nuk ndalen në kufij. NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen dhe frenimin në territorin e saj, ndërsa do të vijojë mbështetjen për Ukrainën përballë agresionit rus”, shkroi Rutte.

Pak më vonë, kreu i NATO-s bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rumanisë, Nicușor Dan, lidhur me situatën e krijuar pas incidentit.

“Sapo fola me presidentin rumun Nicușor Dan. E sigurova për solidaritetin e plotë të NATO-s me Rumaninë dhe shpreha mbështetjen tonë për të plagosurit. NATO është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleatëve”, deklaroi ai.

Reagime të forta pati edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, dënoi ashpër hyrjen e dronit rus në hapësirën ajrore rumune dhe riafirmoi angazhimin e aleancës për mbrojtjen e vendeve anëtare.

“Ne qëndrojmë pranë Rumanisë, aleates sonë në NATO, dhe dënojmë këtë shkelje të papërgjegjshme të territorit të saj. Mendimet tona janë me të plagosurit në Galati. NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj”, deklaroi Whitaker.

Edhe zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart, reagoi menjëherë duke dënuar veprimet e Rusisë dhe duke konfirmuar se sekretari i përgjithshëm i aleancës është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune.

Sipas Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), komandanti suprem i forcave të NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Alex Grinkevich, zhvilloi gjithashtu një bisedë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Rumune, Gheorghe Vlad, për të koordinuar situatën.

Ndërkohë, burime të aleancës bënë të ditur se Rumania ka të drejtën të kërkojë aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon konsultime emergjente mes vendeve anëtare kur një shtet konsideron se integriteti territorial apo siguria e tij është kërcënuar.

Ky nen është aktivizuar disa herë vitet e fundit, përfshirë edhe nga Polonia në vitin 2025, pas depërtimit të dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore.

Incidenti i fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në kufirin lindor të NATO-s dhe ka rikthyer shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit mes Rusisë dhe aleancës perëndimore.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, disa dronë dhe raketa ruse kanë depërtuar në hapësirat ajrore të vendeve të NATO-s, ndërsa mbetje dronësh janë gjetur vazhdimisht në territorin rumun dhe polak.

Rumania ka kërkuar tashmë përforcim të sistemeve të mbrojtjes kundër dronëve, ndërsa aleanca po shqyrton masa të reja sigurie për të shmangur incidente të ngjashme në të ardhmen.