Mbështetës të Partisë Demokratike nga qytete të ndryshme të vendit janë nisur drejt Tiranës për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga ish-deputeti Ervin Salianji, i cili do të zhvillohet pranë Akademisë së Arteve në Sheshin “Nënë Tereza”.
Takimi, i paralajmëruar prej ditësh me moton “Lëvizje për një PD Fituese”, duket se ka mobilizuar një numër të madh demokratësh, ndërsa në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë pamje nga mbështetës që udhëtojnë drejt kryeqytetit.
Një nga videot më të shpërndara tregon dhjetëra simpatizantë demokratë nga Vlora, të cilët janë nisur me automjete të zbukuruara me flamuj të PD-së dhe fotografi të Salianjit, në shenjë mbështetjeje për ish-deputetin demokrat.
Sipas burimeve pranë organizatorëve, pjesëmarrja në aktivitet pritet të jetë e lartë, pasi simpatizantë nga disa qarqe të vendit kanë konfirmuar praninë e tyre në këtë takim politik.
Në thirrjen e tij publike, Salianji ka ftuar demokratët dhe qytetarët që t’i bashkohen nismës së tij, të cilën e ka prezantuar si një lëvizje për ringritjen, bashkimin dhe forcimin e Partisë Demokratike përballë sfidave politike të ardhshme.









