Ivan Balliu ka reaguar pas humbjes së skuadrës së tij, Rajo Vajekano, në finalen e Ligës së Konferencës ndaj Kristal Palas, një mbrëmje që la shije të hidhur për mbrojtësin shqiptar.
Futbollisti kuqezi, i cili prej ditësh po mendon seriozisht të ardhmen e tij me Kombëtaren shqiptare, ndau një mesazh emocional në rrjetet sociale pas finales së humbur.
“Nuk njoha fitore më të madhe, se sa me ty në një humbje. Mirënjohje e përjetshme”, shkroi Balliu, duke iu referuar mbështetjes së tifozëve të Rajo Vajekanos, të cilët shpalosën të njëjtin mesazh në stadium pas ndeshjes.
Edhe pse skuadra spanjolle e mbylli finalen me medaljen e vendit të dytë, atmosfera e krijuar nga tifozët duket se ka prekur thellë mbrojtësin shqiptar në një moment delikat për karrierën e tij ndërkombëtare.
Deklaratat dhe reagimet e fundit të Balliut kanë shtuar dyshimet se ai mund të jetë pranë një vendimi për t’u larguar nga Kombëtarja shqiptare, ndërsa pritet të shihet nëse mbrojtësi do të vazhdojë apo jo të jetë pjesë e kuqezinjve në të ardhmen.










