Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Rolando Maran për dy miqësoret e qershorit që Shqipëria do t’i zhvillojë në stadiumin “Air Albania”, ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Lista e re sjell disa surpriza dhe ndryshime të rëndësishme krahasuar me grumbullimin e fundit të Kombëtares në muajin mars, duke reflektuar zgjedhje të reja nga stafi teknik.
Ndër risitë kryesore bie në sy përfshirja e portierit të Partizanit, Pano Qirko, i cili merr ftesën e parë në përfaqësuesen kuqezi në një moment kur mungojnë disa emra të rëndësishëm si Strakosha dhe Dajsinani.
Gjithashtu, pjesë e listës është edhe Luis Hasa, i cili prej kohësh kishte shprehur dëshirën për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Trajneri Maran duket se ka zgjedhur të eksperimentojë me disa emra të rinj, duke sjellë një frymë ndryshimi në skuadër në prag të ndeshjeve miqësore të muajit qershor.
NJOFTIMI I FSHF
Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore ndaj Izraelit (3 qershor, 20:00, “Air Albania”) dhe ndaj Luksemburgut (6 qershor, 20:00, “Air Albania”).
Trajneri Rolando Maran ka publikuar listën e parë në epokën e tij të re me Kombëtaren shqiptare. Tekniku kuqezi ka grumbulluar 27 lojtarë për dy miqësoret e qershorit.
Ka dy risi në listë. Për herë të parë me Kombëtaren grumbullohen portieri i Partizanit, Pano Qirko, dhe mesfushori i Carrareses, Luis Hasa.
Janë rikthyer në Kombëtare Alen Sherri, Simon Simoni, Andi Hadroj, Taulant Seferi dhe Cristian Shpendi.
Ndërkohë, mungojnë për arsye dëmtimi Thomas Strakosha, Ernest Muçi, Nazmi Gripshi dhe Rey Manaj.
Më poshtë lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar:
Portierë: Alen Sherri, Simon Simoni dhe Pano Qirko.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Andi Hadroj.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Taulant Seferi dhe Anis Mehmeti.
Sulmues: Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi.
Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht grumbullimin ditën e hënë, më 1 qershor, ku do të stërvitet në “Shtëpinë e Futbollit”. Biletat për dy ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut mund t’i blini online në ebileta.al, si edhe në pikën fizike pranë stadiumit “Air Albania”.










