Forcat amerikane kanë rrëzuar katër dronë sulmues iranianë pranë Ngushticës së Hormuzit, në një tjetër episod që rrit tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit në Gjirin Persik.
Lajmi është raportuar nga agjencitë ndërkombëtare Reuters dhe Associated Press, të cilat citojnë zyrtarë amerikanë anonimë. Sipas raportimeve, ushtria amerikane ka goditur gjithashtu një stacion kontrolli tokësor në Bandar Abbas, që dyshohet se po përgatitej të lëshonte një dron të pestë.
Burimet amerikane thanë se dronët u konsideruan një kërcënim i drejtpërdrejtë për forcat ushtarake të SHBA-së që operojnë në rajon.
“Këto veprime ishin të matura, thjesht mbrojtëse dhe kishin si qëllim ruajtjen e armëpushimit”, deklaroi një zyrtar amerikan për Reuters.
Incidenti vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike për transportin global të naftës dhe një zonë me prani të fortë ushtarake amerikane dhe iraniane.
Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga autoritetet iraniane lidhur me raportimet për rrëzimin e dronëve.









