“Bota drejt temperaturave rekord” – OKB jep alamin: Arktiku po “zien” me ritme të frikshme

Temperaturat globale pritet të arrijnë nivele pranë rekordeve historike gjatë pesë viteve të ardhshme, ndërsa Arktiku do të ngrohet shumë më shpejt se pjesa tjetër e planetit. Paralajmërimi vjen nga një raport i ri i Organizatës Botërore Meteorologjike të OKB-së dhe Zyrës Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas raportit, temperatura mesatare globale në periudhën 2026-2030 pritet të luhatet nga 1.3 deri në 1.9 gradë Celsius mbi nivelet e epokës paraindustriale të viteve 1850-1900, duke e afruar botën gjithnjë e më shumë me pragun kritik të Marrëveshjes së Parisit.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ekziston një probabilitet shumë i lartë që gjatë kësaj periudhe të regjistrohet të paktën një vit me temperatura më të larta se rekordi i vitit 2024, i cili deri tani konsiderohet viti më i nxehtë në histori.

“Ka prova shumë të qarta se klima po ngrohet dhe temperaturat globale po vazhdojnë të rriten”, deklaroi studiuesja Melissa Seabrook nga Zyra Meteorologjike britanike.

Raporti thekson se tejkalimi i përkohshëm i pragut 1.5 gradë Celsius nuk nënkupton automatikisht dështimin e Marrëveshjes së Parisit, pasi objektivi matet në bazë të mesatareve afatgjata. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sa më shumë të afrohet planeti me këtë prag, aq më shpesh do të regjistrohen vite ekstremisht të nxehta.

Një nga shqetësimet më të mëdha lidhet me Arktikun, ku temperaturat dimërore pritet të rriten mbi 3.5 herë më shpejt se mesatarja globale. Sipas parashikimeve, zona të mëdha të akullit detar në Detin Barents, Detin Bering dhe Detin e Okhotskut mund të pësojnë shkrirje të konsiderueshme gjatë viteve të ardhshme.

Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja e Arktikut mund të destabilizojë sistemet globale të motit, duke sjellë më shumë stuhi, përmbytje, thatësira dhe fenomene ekstreme klimatike në shumë rajone të botës.

Raporti parashikon gjithashtu reshje më intensive në Evropën Veriore, Alaskë, Siberi dhe rajonin e Sahelit në Afrikë, ndërsa Amazonës i kanosen periudha më të thata.

Një tjetër faktor që pritet të ndikojë në rritjen e temperaturave globale është edhe fenomeni klimatik “El Niño”, i cili sipas ekspertëve mund të forcohet gjatë dimrit të këtij viti dhe të zgjasë deri në vitin 2027, duke shtuar më tej ngrohjen e planetit.