Policia greke ka arrestuar tre persona, mes tyre dy shtetas shqiptarë, pas një atentati me armë zjarri ndaj pronarit të një dyqani celularësh në Athinë, ndërsa një tjetër i dyshuar vijon të jetë në arrati.
Sipas mediave greke, në pranga kanë rënë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç, Adi Beqiri, 27 vjeç, si dhe një shtetas grek, ndërsa autoritetet po vijojnë kërkimet për personin e katërt të përfshirë në ngjarje.
Sulmi ndodhi rreth orës 18:30 në rrugën “Patision”, ku një person i armatosur hyri në një dyqan telefonash celularë dhe qëlloi me armë pronarin e biznesit, me origjinë pakistaneze. Si pasojë e të shtënave, ai mbeti i plagosur në këmbë dhe u transportua me urgjencë në spital.
Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi me një automjet tip “BMW” ngjyrë gri, ku ndodheshin katër persona. Gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë, ata kryen manovra të rrezikshme në rrugët e Athinës dhe u përplasën me disa automjete të tjera.
Pas ndjekjes intensive nga forcat e rendit, makina u neutralizua në rrugën “Tsounta”, pranë bulevardit “Kifissou”, në drejtim të Lamias. Në momentin e ndërhyrjes, automjeti i autorëve u përplas sërish me mjete të tjera, ndërsa policia arriti të arrestojë tre prej të dyshuarve.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personit të katërt, si dhe për zbardhjen e motiveve të sulmit të armatosur që tronditi kryeqytetin grek.









