Gjykata e Lartë vendos sot për Veliajn – Shqyrtohet rekursi për lirimin nga qelia

Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë këtë të enjte rekursin e paraqitur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” në një masë më të lehtë.

Seanca konsiderohet vendimtare për fatin juridik të Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, pas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Paralelisht me procesin në Gjykatën e Lartë, Gjykata Kushtetuese ka rikthyer për rishqyrtim një tjetër kërkesë të Veliajt që lidhet me lirinë e tij, duke kërkuar argumentim më të detajuar mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë në raport me funksionin publik që ai ushtron si kryebashkiak i Tiranës.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se Gjykata e Lartë duhet të analizojë nëse masa “arrest me burg” cenon në mënyrë të pajustifikuar të drejtën për t’u zgjedhur dhe ushtrimin e mandatit publik.

Po ashtu, trupa gjykuese pritet të japë shpjegime konkrete se përse masat alternative të sigurisë nuk konsiderohen të mjaftueshme në rastin e Veliajt, në përputhje me vendimin unifikues të vetë Gjykatës së Lartë të 4 majit, i cili kërkon arsyetim të posaçëm për vendosjen e masës më të rëndë të sigurisë.

Ndërkohë, SPAK ka dërguar prej muajsh dosjen për gjykim, duke ngritur ndaj Veliajt 13 akuza të rënda, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Vendimi që pritet të merret sot nga Gjykata e Lartë shihet si një moment kyç jo vetëm për Veliajn, por edhe për zhvillimet politike dhe institucionale në kryeqytet.