Gjykata e Lartë vulos dënimet për Shullazin – Rrëzohet rekursi i grupit kriminal

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Emiljano Shullazi dhe anëtarët e grupit të tij, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi prek edhe Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja, të cilëve iu refuzuan kërkesat për rekurs kundër vendimit të Apelit të Posaçëm të datës 3 dhjetor 2021.

Po ashtu, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin edhe të rekursit të paraqitur nga Gilmando Dani, për shkak se ai ka ndërruar jetë.

Kujtojmë se Gilmando Dani u vra në një atentat mafioz pranë rrethrrotullimit të Rinas, ku mbeti i vrarë edhe efektivi i AMP-së, Muçi Shaljani.

Grupi i drejtuar nga Emiljano Shullazi është dënuar për veprat penale të gjobëvënies dhe organizatës kriminale, në një nga dosjet më të bujshme të krimit të organizuar në Shqipëri.