“Hapen letrat” për programin bërthamor – Presidenti iranian : Jemi gati t’i garantojmë botës se nuk duam armë atomike

Presidenti i Iran, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani është i gatshëm t’i japë garanci komunitetit ndërkombëtar se nuk synon të zotërojë armë bërthamore, në një moment kur diskutimet për një marrëveshje të re mes Iranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë intensifikuar.

Deklarata e presidentit iranian vjen mes tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe negociatave diplomatike që po zhvillohen për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Pezeshkian theksoi se Irani nuk do të heqë dorë nga dinjiteti dhe interesat kombëtare, por shtoi se vendi i tij është i gatshëm të sigurojë botën se programi bërthamor iranian nuk ka qëllime ushtarake.

Analisti ushtarak Sean Bell deklaroi se Irani e ka përsëritur vazhdimisht këtë qëndrim ndër vite, duke theksuar se Teherani po rikthen në vëmendje një linjë politike që e ka mbajtur prej kohësh.

Megjithatë, skepticizmi ndërkombëtar mbetet i lartë. Analisti tjetër ushtarak, Michael Clarke, u shpreh se shumë vende perëndimore nuk i besojnë deklaratave të Iranit dhe dyshojnë se Teherani vijon përpjekjet për zhvillimin e kapaciteteve bërthamore ushtarake.

Në 24 orët e fundit është folur gjerësisht për një marrëveshje të mundshme mes SHBA-së dhe Iranit, madje edhe për një memorandum mirëkuptimi që mund të hapë rrugën për negociata të reja.

Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se objektivi kryesor i Uashingtonit mbetet që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore.

Sipas mediave shtetërore iraniane, Teherani ka bërë të qartë se nuk do të diskutojë programin e tij bërthamor për sa kohë vijon lufta dhe tensionet ushtarake në rajon.