Kryeministri i Izraeli, Benjamin Netanyahu, ka reaguar për herë të parë publikisht ndaj raportimeve për një marrëveshje të re mes Shteteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke mbajtur një qëndrim të prerë kundër çdo zhvillimi bërthamor nga Teherani.
Në një mesazh të publikuar në platformën “X”, Netanyahu deklaroi se “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”, duke theksuar se ky qëndrim mbetet i pandryshuar pavarësisht negociatave diplomatike që po zhvillohen.
Sipas raportimeve, reagimi i tij vjen pas bisedimeve të zhvilluara mes tij dhe presidentit amerikan Donald Trump, ku është diskutuar një memorandum i mundshëm mirëkuptimi me Iranin, që përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një armëpushim të mundshëm në rajon.
Zyrtarë izraelitë kanë shprehur shqetësimin se një marrëveshje e kufizuar nuk adreson në mënyrë të plotë çështjen e programit bërthamor iranian dhe rezervave të uraniumit të pasuruar.
Sipas një burimi izraelit, Trump i ka dhënë garanci Netanyahut se çdo marrëveshje përfundimtare me Iranin nuk do të firmoset pa përmbushjen e kushteve që lidhen me çmontimin e infrastrukturës bërthamore iraniane dhe largimin e materialit të pasuruar nga territori i vendit.
Netanyahu theksoi gjithashtu se bashkëpunimi mes Uashingtonit dhe Tel Avivit mbetet i fortë dhe se siguria e Izraelit do të mbrohet në çdo rrethanë.









