Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka zhvilluar një seri bisedash telefonike me presidentin amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit e disa vendeve të Gjirit Persik, në përpjekje për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve diplomatike, në diskutime janë përfshirë edhe përfaqësues nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Arabia Saudite dhe Jordania, në një moment kur negociatat mes SHBA-së dhe Iranit po intensifikohen.
Në fokus të bisedimeve ka qenë hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, si dhe arritja e një armëpushimi që do të ndalte përshkallëzimin e konfliktit.
Një burim pranë presidencës franceze bëri të ditur se Parisi po shtyn për një zgjidhje të negociuar, duke e konsideruar prioritet rikthimin e lëvizjes së lirë në ngushticë dhe rifillimin e bisedimeve për çështjet bërthamore, balistike dhe rajonale.
Ndërkohë, presidenti amerikan Trump deklaroi se një marrëveshje e mundshme është “afër”, por mbetet ende e pasigurt, duke e vlerësuar situatën si 50 me 50 për arritjen ose dështimin e saj.
Sipas tij, diplomacia po ecën përpara, por ende nuk ka një rezultat përfundimtar, ndërsa kontaktet mes palëve vazhdojnë intensivisht për të shmangur një përshkallëzim të ri ushtarak në rajon.
Gjithashtu, Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani ka zhvilluar një bisedë me Trump, ku ka theksuar rëndësinë e zgjidhjeve paqësore dhe shmangies së konfliktit të hapur në rajon.









