Një incident i rëndë me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e së shtunës në zonën pranë Shtëpia e Bardhë, ku një i ri i armatosur u neutralizua pas një shkëmbimi zjarri me agjentët e Shërbimi Sekret të Shteteve të Bashkuara.
Sipas autoriteteve amerikane dhe raportimeve të mediave ndërkombëtare, autori i dyshuar është identifikuar si Nasire Best, 21 vjeç, person i njohur më parë nga agjencitë federale për shkak të problemeve të dokumentuara të shëndetit mendor dhe incidenteve të mëparshme pranë kompleksit presidencial amerikan.
Ngjarja ndodhi pak para orës 18:00 me orën lokale në Washington, kur i riu dyshohet se nxori një armë nga çanta dhe hapi zjarr në afërsi të perimetrit të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë.
Agjentët e Shërbimit Sekret reaguan menjëherë duke iu kundërpërgjigjur me armë, ndërsa 21-vjeçari mbeti i plagosur rëndë. Ai u transportua me urgjencë në spital, por më vonë u konfirmua i vdekur si pasojë e plagëve të marra.
Gjatë incidentit mbeti i plagosur edhe një kalimtar, megjithëse autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkohë, asnjë efektiv i forcave federale nuk u lëndua gjatë përplasjes.
Burime pranë hetimit kanë bërë të ditur për mediat amerikane se Nasire Best kishte tentuar edhe më herët të hynte në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, konkretisht në korrik të vitit 2025, ku ishte arrestuar nga agjentët federalë dhe më pas kishte kaluar një periudhë trajtimi në një institucion psikiatrik.
Sipas të njëjtave burime, i riu jetonte prej rreth një viti e gjysmë në kryeqytetin amerikan dhe gjatë sulmit përdori një revolver.
Pas ngjarjes, zona përreth Shtëpisë së Bardhë u blindua nga forca të shumta sigurie, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet e incidentit dhe nëse 21-vjeçari kishte planifikuar një sulm më të gjerë ndaj objektivave federale.









