Kievi nën terrorin e raketave ruse/ Sulm masiv gjatë natës – Raportohet 1 person i vdekur dhe mbi 20 të plagosur

Kryeqyteti i Ukrainës, është goditur nga një valë e fuqishme sulmesh ruse me raketa dhe dronë gjatë orëve të natës, duke shkaktuar viktima, dhjetëra të plagosur dhe dëme të shumta materiale në zona të ndryshme të qytetit.

Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa 21 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e bombardimeve intensive që tronditën Kievin për disa orë me radhë.

Shpërthime të forta janë dëgjuar në të gjitha distriktet e kryeqytetit ukrainas, ndërsa sirenat e alarmit kanë paralajmëruar qytetarët për sulmin ajror masiv. Kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko, deklaroi se objektiva të ndryshme civile janë prekur nga goditjet, përfshirë ndërtesa banimi, shkolla dhe infrastrukturë publike.

Mes të plagosurve ndodhet edhe një adoleshent 15-vjeçar. Siç deklarohen autoritetet lokale, 13 persona janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa tre prej tyre raportohen në gjendje të rëndë.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë ndërtesa të dëmtuara, automjete të shkatërruara dhe ekipe emergjence që punojnë për nxjerrjen e të plagosurve dhe neutralizimin e pasojave të sulmit.

Ky bombardim vjen në një moment tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi presidenti rus Vladimir Putin kishte paralajmëruar hakmarrje ndaj Ukrainës, duke e akuzuar atë për një sulm vdekjeprurës ndaj një konvikti studentor në qytetin e Starobilskut, ku sipas Moskës humbën jetën 18 persona.

Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës konfirmoi se kishte kryer një operacion ushtarak pranë Starobilskut në territorin e pushtuar nga Rusia, por theksoi se objektivi i sulmit ishte një bazë ushtarake ruse dhe jo objektiva civile.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar qytetarët për mundësinë e sulmeve të tjera gjatë orëve dhe ditëve në vijim, ndërsa situata në terren mbetet tepër e tensionuar.