Zelensky paralajmëron sulm të ri rus/ “Rusia mund të përdorë raketa hipersonike Oreshnik ndaj Ukrainës”

Presidenti i Volodymyr Zelensky ka ngritur alarmin se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri ndaj Ukrainës, ku mund të përdoren edhe raketat me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”.

Sipas Zelenskyt, informacioni vjen nga shërbimet e inteligjencës ukrainase, si dhe nga partnerë amerikanë dhe evropianë, të cilët kanë sinjalizuar lëvizje të dyshimta që lidhen me përgatitje ushtarake ruse.

“Po verifikojmë informacionet e marra. Ka shenja për një sulm të mundshëm të kombinuar, përfshirë edhe përdorimin e raketave me rreze të mesme veprimi”, deklaroi ai.

Zelensky tha se objektiv i mundshëm i një sulmi të tillë mund të jetë edhe kryeqyteti Kievi, duke paralajmëruar se skenari përfshin përdorimin e disa llojeve të armëve njëkohësisht.

Raketa “Oreshnik”, sipas burimeve ushtarake, është një raketë balistike me rreze të mesme veprimi, e konsideruar si një variant i modernizuar i sistemeve sovjetike, dhe është përdorur më herët nga Rusia në sulme ndaj qyteteve ukrainase, përfshirë Dnipros dhe rajonin e Lviv.

Presidenti ukrainas u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të respektojnë paralajmërimet për sulme ajrore, ndërsa kërkoi nga aleatët perëndimorë rritjen e presionit ndaj Moskës për të frenuar përshkallëzimin e luftës.

Sipas tij, mungesa e reagimit të fortë ndërkombëtar mund të rrisë rrezikun e përhapjes së konfliktit edhe jashtë Ukrainës.