Aksident në aksin Korçë–Pogradec – Përplasen tre automjete me dy të plagosur

Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e së martës në aksin Korçë–Pogradec, pranë fshatit Gështenjas, ku janë përfshirë tre automjete.

Sipas informacioneve nga policia, ngjarja ka ndodhur në bypass-in Qafë Plloçë–Gështenjas, ndërsa dyshohet se shkak është bërë mosrespektimi i sinjalistikës rrugore nga një prej drejtuesve të mjeteve, çka ka sjellë përplasjen e tyre.

Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Pogradecit, ku po marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia rrugore ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.