Duka zyrtarizon largimin e Sylvinhos – Nis nga sot “epoka Maran” nis sot”

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar fundin e bashkëpunimit me trajnerin brazilian Sylvinho dhe ka prezantuar italianin Rolando Maran si trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare.

Në një konferencë të posaçme për mediat, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, konfirmoi se palët kanë vendosur me mirëkuptim të mbyllin ciklin e nisur me Sylvinho-n, duke e cilësuar atë si një periudhë historike për futbollin shqiptar.

Duka falënderoi publikisht teknikun brazilian për arritjet dhe emocionet që solli në drejtimin e kuqezinjve, duke theksuar se ai tashmë mbetet pjesë e historisë së Kombëtares.

“Mbyllim një cikël me Sylvinho-n, një periudhë shumë të rëndësishme për futbollin shqiptar. Dua ta falënderoj në emër të Federatës dhe të gjithë tifozëve për kontributin dhe emocionet që na dhuroi. Me mirëkuptim të plotë kemi vendosur të nisim një etapë të re”, deklaroi kreu i FSHF-së.

Menjëherë më pas, Duka prezantoi Rolando Maran si trajnerin e ri të Shqipërisë, duke e cilësuar italianin një teknik me përvojë të madhe dhe profilin e duhur për objektivat e ardhshëm të ekipit kombëtar.

Sipas Dukës, edhe pse Maran nuk është një emër i ri në futbollin europian, eksperienca e tij në nivele të larta është arsyeja kryesore pse Federata vendosi t’i besojë drejtimin e “shqiponjave”.

Presidenti i FSHF-së bëri të qartë se objektivat e Kombëtares mbeten ambicioze, duke përmendur vendin e parë në UEFA Nations League dhe kualifikimin në Kampionatin Europian.

Largimi i Sylvinho-s vjen pas një periudhe shumë pozitive për kuqezinjtë. Nën drejtimin e brazilianit, Shqipëria arriti rezultate historike, duke siguruar kualifikimin në Europian dhe duke prekur për herë të parë fazën “play-off” të një Kampionati Botëror.

Tashmë, me Rolando Maran në stol, Kombëtarja shqiptare hap një kapitull të ri, me synimin për të ruajtur ritmin e rritjes dhe për të vazhduar të konkurrojë në nivelet më të larta të futbollit europian.