SPAK përball Metën dhe Kryemadhin me trupën gjykuese – Zbardhen emrat e gjyqtarëve të çështjes

Gjykata e Posaçme ka caktuar trupën gjykuese që do të shqyrtojë çështjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi, të cilët përballen me akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Sipas vendimit të bërë publik në seancën e sotme, procesi gjyqësor do të drejtohet nga gjyqtari Erjon Bani, ndërsa në trupë do të jenë edhe gjyqtaret Rudina Palloj dhe Marinela Osmani.

Çështja ndaj ish-çiftit politik do të zhvillohet me gjykim normal, pasi Meta dhe Kryemadhi nuk kanë zgjedhur procedurën e gjykimit të shkurtuar, ndryshe nga disa persona të tjerë të përfshirë në të njëjtin hetim.

SPAK i akuzon ata për përfshirje në afera korruptive, pastrim të produkteve të veprës penale dhe mosdeklarim apo fshehje të pasurive. Hetimet ndaj tyre kanë qenë në qendër të vëmendjes politike dhe publike për muaj me radhë, ndërsa tashmë çështja hyn zyrtarisht në fazën e gjykimit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Procesi pritet të ndiqet me interes të lartë, për shkak të profilit politik të të pandehurve dhe akuzave që rëndojnë mbi ta.