Federata Shqiptare e Futbollit pritet të zyrtarizojë sot ndarjen me trajnerin Sylvinho, duke i dhënë fund aventurës së teknikut brazilian në stolin kuqezi. Vendimi, që prej javësh qarkullonte në ambientet sportive, duket se tashmë është vulosur përfundimisht.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kishte paralajmëruar më herët se e ardhmja e Sylvinho-s do të vendosej përpara ndeshjeve miqësore të muajit qershor, duke theksuar se trajneri kishte një ofertë rinovimi në tavolinë, por fjala e fundit i takonte vetë brazilianit.
Megjithatë, burime pranë Federatës bëjnë me dije se marrëveshja mes palëve për mosvazhdimin e bashkëpunimit është arritur prej kohësh, ndërsa mungonte vetëm komunikimi zyrtar.
Për këtë arsye, FSHF ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për mediat ditën e sotme në orën 10:00, ku pritet të konfirmohet largimi i Sylvinho-s dhe të prezantohet trajneri i ri i Kombëtares shqiptare.
Sylvinho largohet nga drejtimi i Shqipërisë pas një periudhe historike për futbollin kuqezi. Nën drejtimin e tij, Kombëtarja siguroi kualifikimin në Kampionatin Europian dhe për herë të parë arriti në fazën “play-off” të një Botërori, duke regjistruar rezultate që mbeten ndër më të mirat në historinë e ekipit kombëtar.
Largimi i tij hap një kapitull të ri për Shqipërinë, ndërsa tashmë vëmendja është përqendruar te emri që do të marrë drejtimin e “shqiponjave” në objektivat e ardhshëm ndërkombëtarë.









