Nga Samir Mane te Mira Murati – Publikohet lista e 10 shqiptarëve më të pasur në botë

Biznesmeni Samir Mane kryeson listën e shqiptarëve më të pasur, sipas një përzgjedhjeje të bërë në emisionin “Opinion”, ku u renditën emrat më të fuqishëm të biznesit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Europë dhe SHBA.

Moderatori Blendi Fevziu deklaroi se lista përfshin sipërmarrës nga fusha të ndryshme, duke nisur nga tregtia, ndërtimi e energjia, deri te teknologjia dhe inteligjenca artificiale.

Në vendin e parë renditet Samir Mane, i konsideruar si shqiptari më i suksesshëm në biznes në Ballkanin Perëndimor dhe i vetmi shqiptar që figuron në listën prestigjioze të Forbes.

Pas tij vjen Shefqet Kastrati, i cili ka ndërtuar një nga perandoritë më të mëdha ekonomike në Shqipëri, me investime në energji, turizëm dhe infrastrukturë.

Në listë përfshihet edhe Behgjet Pacolli, i njohur për investimet ndërkombëtare dhe aktivitetin e tij në shumë vende të botës.

Mes emrave më të përfolur është edhe Mira Murati, e vetmja grua në listë, e cila është kthyer në një nga figurat më të rëndësishme në industrinë globale të Inteligjencës Artificiale.

Në renditje janë përfshirë gjithashtu Shkëlqim Devolli, Nazif Destani, Harry Bajraktari, Avni Orllati, Esat Lika dhe Selim “Sal” Rusi, i konsideruar si një nga shqiptarët më të pasur në SHBA.

Lista ka ngjallur debat dhe interes të madh në rrjet, për shkak të emrave të njohur dhe pasurive marramendëse që ata zotërojnë në mbarë botën.