Mbyllet vizita e Trump në Kinë/ Xi Jinping: Historike! Presidenti amerikan: Takim i paharrueshëm

Presidenti amerikan Donald Trump ka përfunduar vizitën e tij zyrtare në Kinë, duke u larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Pekinit me avionin presidencial Air Force One, pas dy ditësh takimesh intensive me udhëheqjen kineze.

Ceremonia e përcjelljes u zhvillua me nderime të larta shtetërore, tapet të kuq dhe formacion ushtarak, ndërsa studentë kinezë valëvitnin flamujt e Kinës dhe SHBA-së përgjatë momentit të largimit të presidentit amerikan.

Gjatë ceremonisë, Trump u pa në një moment miqësor me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi, të cilin e përshëndeti përzemërsisht para nisjes.

Presidenti kinez Xi Jinping e cilësoi vizitën si “historike dhe me rëndësi të veçantë”, duke theksuar se dy vendet kanë hyrë në një fazë të re marrëdhëniesh strategjike dhe konstruktive.

“Presidenti Trump dëshiron ta bëjë Amerikën sërish të madhe, ndërsa unë jam i përkushtuar për rilindjen e madhe të kombit kinez”, deklaroi Xi, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjeve dhe dakordësive të arritura gjatë takimeve në Pekin.

Nga ana tjetër, Trump e përshkroi vizitën si “shumë të suksesshme dhe të paharrueshme”, ndërsa e quajti Xi Jinping “një mik të vjetër”, duke shprehur respekt të madh për liderin kinez.

Presidenti amerikan shtoi se pret me kënaqësi të presë Xi Jinping në Uashington për një takim të ardhshëm mes dy liderëve.