Aurel Zarka del nga burgu – Apeli i Posaçëm liron ish-kryeprokurorin e Vlorës

Apeli i Posaçëm ka vendosur lirimin nga qelia të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili mbahej në burg prej qershorit të vitit 2024.

Vendimi u mor nga gjyqtari Florjan Kalaja, pasi u shqyrtua kërkesa e paraqitur nga mbrojtja dhe qëndrimi i prokurorisë, të cilët kërkuan lirimin e Zarkës për shkak të përfundimit të vuajtjes së dënimit.

Ish-kryeprokurori ishte dënuar me 4 vite burg për veprat penale të “korrupsionit” dhe “ndikimit të paligjshëm” në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite e 8 muaj burg.

Çështja “Toyota Yaris” nisi pas sekuestrimit në Portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove cash të fshehura në dy automjete të përdorura të importuara nga Belgjika.