Sali Berisha, ka sulmuar ashpër ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e akuzuar se po mban qëndrim të njëanshëm në favor të qeverisë së Edi Rama.
Në deklaratën e bërë në Ditën e Europës, Berisha tha se Gonzato “sillet si ambasador i Edi Ramës” dhe pretendoi se diplomati europian ka përcjellë në Bruksel, sipas tij, “trillime” kundër opozitës shqiptare.
“Ky zotëri ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës, sikur opozita nuk është për integrimin europian”, deklaroi Berisha.
Lideri demokrat akuzoi ambasadorin europian edhe për qëndrimet e mbajtura lidhur me çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, duke përmendur debatet për zv/kryeministren Belinda Balluku.
Sipas Berishës, Gonzato ka mbrojtur interpretimin e qeverisë shqiptare për imunitetin parlamentar, ndërsa shtoi se gjatë qeverisjes së tij, ministrave dhe zyrtarëve u është hequr imuniteti sa herë është kërkuar nga prokuroria.
Në fjalën e tij, Berisha hodhi akuza të forta edhe ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke pretenduar se qeveria Rama e ka bazuar atë në “lobim korruptiv”.
Ai përmendi gjithashtu ish-diplomaten europiane Federica Mogherini dhe ish-ambasadoren e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin, ndaj të cilave artikuloi akuza për favorizim të qeverisë shqiptare.
Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet e orientuar drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe deklaroi se do të vazhdojë të denoncojë, sipas tij, problematikat e qeverisë shqiptare dhe të procesit të integrimit.









