Vetëvendosja zyrtarizon Kurtin për kryeministër – Synon 60% të votave…

Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit të Partisë, ku Kurti mori mbështetjen e delegatëve dhe shpalosi objektivin ambicioz për të siguruar deri në 60% të votave në zgjedhje.

“Prej shkurtit deri në dhjetor të vitit të kaluar u rritëm me 9%. Nëse rritemi po aq deri në qershor, mund të prekim 60%. Nëse punojmë me sinqeritet dhe përkushtim, kjo është e mundur”, deklaroi Kurti para strukturave të partisë.

Kreu i Vetëvendosjes fajësoi sërish partitë opozitare për krizën politike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se mungesa e konsensusit për zgjedhjen e presidentit të ri e çoi vendin drejt bllokadës institucionale.

Sa i përket çështjes së presidentit, Kurti deklaroi se pas zgjedhjeve do të kërkojë bashkëpunim me partitë politike për zgjedhjen e një figure jopartiake në krye të shtetit.

“Pas zgjedhjeve do të kërkojmë bashkëpunim për një president jopartiak, jashtë skenës aktuale politike, me integritet dhe kompetencë”, u shpreh ai.