‘TRONDITESE’/ ‘E dua Ilirin, atij dhe fëmijëve u kërkoj falje’ – rrëfim i Kryemadhit për jetën, politikën dhe marrëdhënien me Ilir Metën

Monika Kryemadhi ka bërë deklarata të forta dhe emocionale në një intervistë televizive, ku ka folur për jetën personale, aktivitetin politik dhe raportet familjare, duke sjellë reflektime të drejtpërdrejta mbi të shkuarën e saj.

E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ajo është ndalur veçanërisht te marrëdhënia me bashkëshortin e saj Ilir Meta, duke treguar se si është ndjerë kur e ka parë në seancën e fundit gjyqësore. Pavarësisht situatave të krijuara, Kryemadhi ka theksuar se ruan respekt për të.

Ajo e përshkroi Metën si një figurë të fortë politike dhe të kthjellët në mendim:
“Për mua Iliri mbetet si më parë, shumë i qartë, i kthjellët dhe me aftësi të forta politike. E njoh prej më shumë se 30 vitesh dhe është një figurë me peshë të madhe,” u shpreh ajo.

Në vijim, Kryemadhi pranoi se raporti mes tyre ka ndryshuar me kalimin e kohës, duke theksuar se komunikimi aktual është thuajse i ndërprerë dhe se marrëdhënia ka kaluar periudha të vështira. Megjithatë, ajo nënvizoi se respekti për Metën mbetet i pandryshuar, sidomos për rolin e tij si babai i fëmijëve të saj.

Në pjesën politike të intervistës, ajo vlerësoi deputetin Erion Braçe, duke e cilësuar si një nga figurat më të afta në politikën aktuale dhe duke deklaruar se do ta mbështeste edhe për një post ekzekutiv vendor.

“Për mua, Erion Braçe është politikani më i aftë sot. Ka një profil të veçantë dhe shumë të fortë,” tha ajo.

Kryemadhi u ndal edhe te përvoja e saj në televizion, duke komentuar pozitivisht disa bashkëpunëtorë në projekte mediatike, të cilët i vlerësoi për energjinë dhe komunikimin publik.

Në fund të intervistës, ajo bëri një rrëfim emocional, duke thënë se ndjen detyrim moral për t’u kërkuar falje fëmijëve të saj për mungesën e kohës dhe përkushtimit gjatë viteve të angazhimit politik, si dhe Ilir Metës për momentet kur, sipas saj, nuk ka qenë pranë tij në periudha të vështira.

“Fëmijëve të mi u kërkoj falje që nuk kam investuar mjaftueshëm kohë dhe ndjeshmëri. Po ashtu edhe Ilirit, për momentet kur ka pasur nevojë për mua dhe unë nuk kam qenë aty,” përfundoi ajo.