Mbrëmjen e kësaj të mërkure do të përcaktohet edhe finalistja e dytë e kompeticionit më prestigjioz të futbollit europian, Liga e Kampionëve e UEFA-s, në një përballje që premton emocion deri në sekondën e fundit.
Në stadiumin “Allianz Arena”, Bayern Munich do të përballet me Paris Saint-Germain në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales, pas një takimi të parë spektakolar që përfundoi me fitoren 5-4 të parisienëve.
Sfida e parë ka hyrë në histori si një nga gjysmëfinalet më të çmendura të Champions-it, me nëntë gola të shënuar dhe një garë të hapur deri në fund për kualifikim.
Skuadra gjermane synon finalen e 12-të në histori të klubit dhe do të kërkojë përmbysjen në shtëpi, ku ka treguar forcë të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Bayern vjen në këtë ndeshje me vetëm një humbje në 29 ndeshjet e fundit europiane në “Allianz Arena”, një statistikë që i jep besim maksimal.
Nga ana tjetër, PSG kërkon të mbrojë avantazhin e ndeshjes së parë dhe të shkruajë histori duke u bërë klubi i parë francez me tre finale në Champions League. Parizienët kanë treguar stabilitet në Evropë, duke u kualifikuar në shumicën e përballjeve kur kanë fituar ndeshjen e parë.
Pak minuta para fillimit të takimit, janë bërë publike edhe formacionet zyrtare të të dy skuadrave, duke ndezur edhe më shumë pritshmëritë për një mbrëmje futbolli të nivelit më të lartë europian.
FORMACIONET ZYRTARE:
Bayern Munich: Neuer, Stanisic, Upamecano, Tah, Laimer, Pavlovic, Kimmich, Diaz, Musiala, Olise, Kane.
PSG: Sofanov, Zaire-Emery, Marquinhos, Pacho, Mendes, Neves, Vitinha, Ruiz, Doue, Dembele, Kvaratskhelia.










