Bashkim i madh në Kosovë! – Vjosa Osmani me rreth 20 kandidatë të saj drejt një liste të përbashkët me LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duket se po shkon drejt një bashkëpunimi të rëndësishëm politik me ish-presidenten Vjosa Osmani, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se mes palëve është arritur një dakordim paraprak për një bashkëpunim që ai e cilëson si parimor dhe ideologjikisht të përafërt. Sipas tij, marrëveshja parashikon që të dyja palët të ruajnë subjektivitetin politik, ndërsa garimi do të bëhet brenda listës së përbashkët me logon e LDK-së.

Zemaj theksoi se një pjesë e konsiderueshme e kandidatëve në listë pritet të vijnë nga ekipi i Vjosa Osmanit, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për rreth 20 emra të rinj.

“Bëhet fjalë për një bashkëpunim të bazuar në parime dhe afërsi ideologjike, ku secili ruan identitetin e vet, por garon në një listë të përbashkët”, u shpreh ai, duke shtuar se kandidatët e propozuar pritet të jenë në përputhje me profilin politik të së djathtës.

Afati për dorëzimin e listave zgjedhore është data 12 maj, ndërsa brenda LDK-së, sipas Zemajt, ka reagime të ndryshme lidhur me këtë bashkëpunim. Ai pranoi se, përveç mbështetjes, ka edhe zëra kritikë që mbajnë ende qëndrime rezervë për zhvillimet politike të viteve të fundit.

Megjithatë, deputeti theksoi se përgjegjësia për hartimin e listës dhe ndërtimin e partneriteteve i takon kryetarit të LDK-së, ndërsa objektivi kryesor mbetet ndryshimi i qeverisjes aktuale në Kosovë.

Ky zhvillim shihet si një lëvizje strategjike në prag të zgjedhjeve, që mund të ndikojë ndjeshëm në konfigurimin e skenës politike dhe balancat elektorale në vend.