Mjekja Mereme Sela ka ndërmarrë një hap të fortë ligjor pasi u përjashtua nga gara për drejtimin e Partisë Demokratike. Atë që nuk e ka bërë asnjë nga kandidatët më me zë publik, të përjashtuar nga gara për të rivalizuar Sali Berishën e ka bërë pikërish kandidatja surprizë e këtij proçesi, Mereme Sela duke depozituar padinë në Gjykata e Tiranës.
Në kërkesën e saj, Sela kundërshton vendimin për mosregjistrimin e kandidaturës, duke pretenduar se procesi zgjedhor brenda partisë po zhvillohet në kundërshtim me rregullat dhe standardet e barazisë. Ajo ngre shqetësime për shkelje të statutit dhe mungesë transparence në përzgjedhjen e kandidatëve.
Përmes padisë, Sela kërkon pezullimin e menjëhershëm të procesit zgjedhor, shpalljen e pavlefshme të skualifikimit të saj dhe rikthimin në garë si kandidate për kryetare.
Ky zhvillim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike, duke hapur një përplasje të re ligjore dhe politike për drejtimin e forcës më të madhe opozitare në vend.









