Irani ‘mbyll’ Hormuzin – Projektligj i fortë për kufizimin e anijeve izraelite dhe kontroll total të kalimit!

Irani po përgatit një projektligj të ri që synon të rregullojë në mënyrë të rreptë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës.

Nisma u bë publike nga nënkryetari i parlamentit iranian, Hamidreza Haji-Babaei, i cili theksoi se drafti synon të vendosë kontrolle më të forta dhe kushte të reja për anijet që kërkojnë të kalojnë në këtë korridor strategjik.

Sipas propozimit, anijeve që i përkasin vendeve të konsideruara “armike”, përfshirë Izraeli, mund t’u ndalohet plotësisht kalimi në Ngushticën e Hormuzit. Në disa raste, projektligji parashikon që kalimi të lejohet vetëm nëse këto shtete paguajnë dëmshpërblime të lidhura me konfliktet e fundit.

Për anijet e vendeve të tjera, drafti vendos një regjim të ri autorizimi, ku çdo kalim do të duhet të miratohet paraprakisht nga autoritetet iraniane. Kjo nënkupton një kontroll më të madh të Teheranit mbi lëvizjen detare në këtë zonë jetike për ekonominë globale.

Zyrtarët iranianë kanë bërë të qartë se trafiku në Ngushticën e Hormuzit nuk do të rikthehet në normalitetin e mëparshëm, duke paralajmëruar një epokë të re rregullash më të ashpra dhe kufizimesh të forta.

Kjo lëvizje vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke qenë se një pjesë e madhe e eksportit botëror të naftës kalon pikërisht përmes kësaj ngushtice strategjike.