PARALAJMERIMI/ Varshava e alarmuar: NATO drejt shpërbërjes!

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka ngritur alarmin për të ardhmen e aleancës transatlantike, duke paralajmëruar për një dobësim të rrezikshëm të NATO-s.

Në një deklaratë të fortë, Tusk u shpreh se kërcënimi më i madh për aleancën nuk vjen nga jashtë, por nga brenda saj. “Kërcënimi më i madh për komunitetin transatlantik nuk janë armiqtë e jashtëm, por shpërbërja e vazhdueshme e aleancës sonë”, deklaroi ai, duke bërë thirrje për reagim urgjent nga vendet anëtare.

Komentet e tij vijnë në një moment tensionesh të shtuara, pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e rreth 5000 trupave nga Gjermania, një vendim që ka shkaktuar debat të gjerë mbi angazhimin amerikan në sigurinë e Evropës.

Polonia, e cila ndan kufij me Rusinë dhe Bjellorusinë, mbetet një nga vendet më të varura nga mbështetja e NATO-s dhe SHBA-së për mbrojtjen e saj. Përballë kërcënimeve në rritje nga Lindja, Varshava ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake, duke u bërë një nga kontribuuesit më të mëdhenj në mbrojtje brenda Bashkimit Evropian.

Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve, zyrtarët e NATO kanë deklaruar se aleanca mbetet e fortë dhe e aftë për të garantuar sigurinë kolektive, edhe në kushtet e rishikimit të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

Zhvillimet e fundit kanë rikthyer në vëmendje debatin mbi ndarjen e barrës së sigurisë mes vendeve anëtare dhe rolin që duhet të luajë Evropa në mbrojtjen e vet.