Përshkallëzimi i konfliktit në Irani po sjell pasoja që shkojnë shumë përtej rajonit, duke rrezikuar drejtpërdrejt furnizimin global me ushqim.
Bllokimi i transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga arteriet kryesore të tregtisë botërore, ka ndërprerë furnizimin me plehra kimike, element kyç për prodhimin bujqësor në mbarë globin.
Sipas kompanisë Yara, aktualisht mungojnë rreth 500 mijë ton plehra, çka rrezikon të shkaktojë një goditje të rëndë në prodhimin e ushqimit. Ekspertët paralajmërojnë se pasojat mund të jenë dramatike: deri në 10 miliardë vakte ushqimi në javë mund të humbasin në nivel global, ndërsa prodhimi i kulturave bazë si gruri, orizi dhe misri mund të bjerë deri në 50% që në sezonin e parë.
Kriza po reflektohet menjëherë edhe në tregje. Çmimet e plehrave janë rritur me rreth 80%, duke rritur kostot për fermerët, të cilët tashmë përballen edhe me çmime më të larta për energjinë dhe karburantin. Kjo pritet të përkthehet në rritje të çmimeve të ushqimeve për konsumatorët.
Rajonet më të rrezikuara janë vendet në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, ku bujqësia varet shumë nga përdorimi i plehrave dhe ku pasiguria ushqimore është tashmë problem serioz. Në Afrikën Sub-Sahariane, situata mund të përkeqësohet ndjeshëm, me rënie të mëtejshme të prodhimit.
Ekspertët paralajmërojnë edhe një skenar tjetër shqetësues: një “garë” globale për furnizime ushqimore, ku vendet e pasura sigurojnë rezervat, ndërsa vendet më të varfra mbeten në mungesë. Kjo mund të rrisë ndjeshëm urinë dhe tensionet sociale në shumë rajone.
Nëse kriza vazhdon, parashikohet që inflacioni ushqimor të arrijë deri në 10% deri në fund të vitit, ndërsa miliona njerëz në botë mund të përballen me pasiguri të thellë ushqimore gjatë vitit 2026.









