BE shpërthen ndaj Donald Trump: “SHBA partner i pabesueshëm, do kundërpërgjigjemi!”

Reagimet nga Bashkimi Evropian kanë qenë të menjëhershme dhe të ashpra pas vendimit të Donald Trump për të rritur në 25% tarifat ndaj makinave dhe kamionëve evropianë.

Bernd Lange, kryetar i Komitetit të Tregtisë Ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, e ka cilësuar këtë lëvizje si një tregues të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm tregtar.

“Ky veprim tregon sa e pabesueshme është pala amerikane. Nuk është kjo mënyra për të trajtuar partnerët e ngushtë”, deklaroi Lange, duke paralajmëruar një reagim të fortë nga ana e BE-së.

Ai theksoi se Brukseli do të përgjigjet “me qartësi dhe vendosmëri”, duke përdorur peshën ekonomike që ka në skenën globale.

Sipas tij, vendimi i Uashingtonit është i papranueshëm dhe bie ndesh me marrëveshjen tregtare kornizë të arritur mes dy palëve në Skoci, e cila synonte shmangien e një përplasjeje të madhe tregtare.

Lange akuzoi gjithashtu SHBA-në për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes, duke përmendur vendosjen e tarifave të larta për qindra produkte që përmbajnë çelik dhe alumin.

Përplasja e fundit sinjalizon rritjen e tensioneve ekonomike mes dy aleatëve kryesorë perëndimorë, duke rritur frikën për një luftë të re tregtare me pasoja globale.