“Gjendja e lëkurës, prej ujit me shumë klor” – Meta pas shfaqjes në publik : Jam kampion i burgut në ping-pong, bëj 4 orë muskuj barku

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas komenteve për pamjen e tij fizike pas daljes së parë publike që nga arrestimi dhe procesi në GJKKO.

Meta ka deklaruar se gjendja e tij fizike, shëndetësore dhe mendore është “më e mirë se kurrë”, duke i quajtur spekulime komentet për dobësim apo ndryshime në pamje.

Ai është shprehur me ironi se në ambientet e paraburgimit është “kampion absolut në ping-pong”, ndërsa ka shtuar se aktiviteti fizik intensiv, sidomos ushtrimet për barkun, i zënë rreth katër orë në ditë.

Sipas tij, edhe fakti që kostumi i ka qëndruar i madh nuk lidhet me mungesë ushqimi, por me aktivitetin e shtuar fizik. Meta ka përmendur gjithashtu dietën e kujdesshme dhe përkujdesjen familjare, duke theksuar se ushqimi i tij është i rregullt.

Në reagim, ai ka komentuar edhe kushtet në ambientin ku mbahet, duke përmendur mungesën e një berberi profesionist dhe ndikimin e ujit me klor në lëkurë.

Meta ka rikthyer gjithashtu kritikat ndaj procesit gjyqësor, duke kundërshtuar mbajtjen e tij në kafazin e xhamit në sallë dhe duke e cilësuar atë si denigrues dhe të padrejtë. Ai ka kërkuar gjithashtu që seancat të transmetohen live, duke argumentuar se çështja ka interes të lartë publik.

Sipas tij, transparenca e procesit është e domosdoshme, ndërsa ka akuzuar ashpër drejtimin politik të vendit për ndikim në drejtësinë e çështjes.

Reagimi i Metës vjen në vazhdën e përplasjeve të forta ligjore dhe politike që shoqërojnë procesin ndaj tij në GJKKO.