Zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës është shtyrë sërish, pasi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit nuk morën pjesë deputetët e opozitës, duke pamundësuar zhvillimin normal të votimit.
Seanca pritet të rifillojë në orën 19:00, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë, duke theksuar se prania e tyre është e domosdoshme si për detyrimet kushtetuese, ashtu edhe për interesin publik.
“Në këto rrethana, për shkak të mungesës së opozitës dhe në përpjekje që ajo të jetë e pranishme në seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, seanca vazhdon sot në orën 19:00,” deklaroi Haxhiu.
Ngërçi politik vjen në një moment kritik, pasi afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit skadon sot. Në rast se nuk arrihet konsensus, Kuvendi i Kosovës rrezikon të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra për postin e presidentit, ndërsa në raundin e parë të votimit morën pjesë vetëm 64 deputetë, ku kandidatja Feride Rushiti siguroi 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se po bëhen përpjekje maksimale për të siguruar zgjedhjen e presidentit, por theksoi se opozita ka detyrim kushtetues të marrë pjesë në votim. Ai shmangu komentet për mbështetjen e mundshme të Vjosa Osmanit për një mandat të ri.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa vendimi final pritet të varet nga pjesëmarrja e opozitës në seancën e radhës.









