Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas të shtënave të regjistruara gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Përmes një postimi në rrjetin “X”, Rama e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj lirisë dhe mënyrës demokratike të jetesës.
“Një sulm si ky godet lirinë dhe mënyrën tonë demokratike të jetesës kudo. E dënoj me forcë. Ndihem i lehtësuar që Presidenti Donald Trump dhe të gjithë të pranishmit janë shëndoshë e mirë,” u shpreh ai.
Ngjarja ndodhi në hotelin Washington Hilton, ku të shtëna me armë shkaktuan panik mes të pranishmëve. Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u evakuuan menjëherë nga forcat e sigurisë, ndërsa autori i dyshuar u arrestua në vendngjarje.
Autoritetet amerikane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.









