Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në aksin dytësor Lezhë–Kakarriq, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal me ujë, duke u përmbysur.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën dy persona, babë e bijë. Viktimat janë identifikuar si Anton Keçi, rreth 52 vjeç, dhe vajza e tij 20-vjeçare.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se aksidenti ka ndodhur në orët e pasdites, por është konstatuar vetëm në mbrëmje, pasi familjarët humbën kontaktet me ta dhe nisën kërkimet.
Policia bëri të ditur se automjeti u gjet në fshatin Gocaj, ndërsa pas nxjerrjes nga uji u konstatuan pa shenja jete dy viktimat. Paraprakisht dyshohet se drejtuesja e mjetit ka humbur kontrollin, duke shkaktuar daljen nga rruga.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi se viktima është Dr. Anton Keçi, Shef i Shëndetësisë në IEVP Lezhë, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.









