Kryeministri britanik Keir Starmer ka reaguar pas të shtënave gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Në një postim në rrjetin “X”, Starmer u shpreh i tronditur nga ngjarja, duke theksuar se çdo sulm ndaj institucioneve demokratike dhe lirisë së shtypit duhet të dënohet me ashpërsi.
“Jam i tronditur nga skenat në Uashington. Çdo sulm ndaj institucioneve demokratike ose ndaj lirisë së shtypit duhet të dënohet me termat më të ashpra të mundshme. Është një lehtësim i madh që Presidenti Donald Trump, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë të sigurt,” u shpreh ai.
Ngjarja ndodhi në hotelin Washington Hilton, ku të shtëna me armë shkaktuan panik mes të pranishmëve. Presidenti dhe zyrtarët e tjerë u evakuuan menjëherë nga forcat e sigurisë, ndërsa autori i dyshuar u arrestua.
Autoritetet amerikane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.









