Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shpalljen e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky vendim synon forcimin e bazës ligjore dhe strategjike të vendit në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit.
Sipas tij, IRGC është një strukturë që përdor dhunën e organizuar dhe terrorizmin si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuar në destabilizimin rajonal dhe global.
“Përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtje të sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut,” tha Kurti, duke theksuar bashkëpunimin me aleatët në luftën kundër terrorizmit.
Vendimi e pozicionon Kosovën në linjë me qëndrime të ngjashme të disa vendeve aleate në raport me këtë organizatë.









