Një paralajmërim i fortë ka ardhur nga kreu i Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, Fatih Birol, i cili ka ngritur alarmin për një krizë të afërt në sektorin e aviacionit në Evropë. Sipas tij, kontinenti ka në dispozicion vetëm rreth gjashtë javë furnizim me karburant për avionë, nëse situata aktuale nuk përmirësohet.
Në një intervistë për Associated Press, Birol theksoi se bllokimi i furnizimeve me naftë si pasojë e konfliktit në Iran dhe tensioneve në Ngushticën e Hormuzit ka shkaktuar atë që ai e cilëson si “krizën më të madhe energjetike” të kohëve moderne.
Ai paralajmëroi se nëse kjo rrugë jetike për transportin global të naftës mbetet e bllokuar, pasojat do të ndihen shumë shpejt në industrinë e fluturimeve.
“Së shpejti mund të dëgjojmë lajme për anulime fluturimesh nga një qytet në tjetrin, për shkak të mungesës së karburantit për avionët,” deklaroi ai.
Kriza nuk pritet të kufizohet vetëm te aviacioni. Sipas Birol, pasojat do të reflektohen në rritje të ndjeshme të çmimeve të benzinës, gazit dhe energjisë elektrike, duke goditur ekonomitë globale në zinxhir.
Ai theksoi se vendet aziatike si Japonia, Koreja e Jugut, India dhe Kina do të jenë të parat që do të ndjejnë efektet, për shkak të varësisë së lartë nga energjia e Lindjes së Mesme, ndërsa më pas ndikimi do të përhapet në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Situata është përkeqësuar nga përplasja SHBA–Iran, ku Shtetet e Bashkuara kanë vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane, ndërsa Teherani ka reaguar duke kufizuar trafikun në Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për tregtinë globale të energjisë.
Ndërkohë, edhe Kristalina Georgieva, drejtoreshë e Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka paralajmëruar se pasojat e kësaj krize do të zgjasin edhe pas përfundimit të konfliktit, për shkak të ngadalësisë së zinxhirit të furnizimit global.
Sipas ekspertëve, nëse situata nuk stabilizohet shpejt, bota mund të përballet me një valë të re krize energjetike dhe ekonomike me pasoja të rënda për transportin, tregtinë dhe jetën e përditshme.









